DOSSIER
Mirëqënia dhe shëndeti i mirë jo në farmaci, por në tavolinë


Nga fibrat tek vitaminat, ja si të organizoni menunë tuaj

Sot shkenca dhe mjekësia ka bërë të mundur që të evitohen ose të shërohen shumë sëmundje të përhapura, të trupit dhe të mendjes, duke bërë një jetë të shëndetshme. Një rol të rëndësishëm luan ndjekja e disa rregullave të thjeshta të dietës dhe shëndetit.  Studimet e bëra nga dietologët kanë treguar efektet pozitive të bimëve dhe ushqimeve në shëndetin tonë, si stimulues të sistemit imunitar, por edhe të efektshme kundër sëmundjeve të ndryshme si kancerit, tensionit, sëmundjeve të zemrës, stomakut, aparatit tretës, gripit, të ftohurit, e shumë të tjera. Ndërsa më poshtë, radhiten disa këshilla dhe receta me bimë e ushqime, të cilat janë të njohura për efektet e tyre kundër të gjitha sëmundjeve më të shpeshta që rrezikojnë organizmin e njeriut. Këto e shumë të tjera, për një jetë të shëndetshme.

Kuriozitet

Eksperimentet e realizuara kanë treguar se jeta e një personi, i cili ushqehet normalisht dhe pa e tepruar, duke reduktuar njërin nga vaktet në 40 për qind, dyfishohet.

FIBRAT

Fibrat luajnë një rol të rëndësishëm në një dietë të shëndetshme, ndihmojnë lëvizjen e ushqimit në aparatin e tretës, ndalojnë kapsllëkun, ndihmojnë funksionimin e zorrëve (parandalojnë shqetësimet në to), apendicitin, sëmundjet e zëmrës. Drithërat janë shumë të pasura më fibra. Vitaminat dhe kripërat minerale e ndihmojnë trupin të ruajë formën e mirë. Një dietë e mirë duhet të sigurojë të gjitha vitaminat dhe kripërat mineralë, që janë shumë të nevojshme për organizmin.

VITAMINAT DHE  KRIPËRAT MINERALE

Megjithëse duhen vetëm sasi të vogla, ato janë të pazëvendësueshme. Vitaminat dhe kripërat minerale veprojnë së bashku. Kripërat mineralë ndikojnë në strukturat kockore, krijimin e një ekuilibri të sistemit ujor të organizmit, nervat dhe reagimet muskulore. Minerale të rëndësishme janë kalciumi, fosfori, magnezi, hekuri, sulfuri, sodiumi, potasi dhe zinku. Disa vitamina si A, D, E, K, mund të magazinohen, kurse vitaminat C dhe B kompleks duhen marrë rregullisht.

Çdo ditë është e këshillueshme që të konsumohen në të paktën një vakt, produkte të freskëta të gjelbra, si: spinaq, lakër, sallatë jeshilë, etj. Ato ndihmojnë në normalizimin e qarkullimit të gjakut dhe në rregullimin e normalizimin e tensionit të gjakut.

Shumë njerëz ruajnë shikim të mprehtë deri në moshë të thyer në sajë të konsumimit të vazhdueshëm të këtyre ushqimeve.

NEVOJAT E ORGANIZMIT PËR VITAMINËN B2 DHE B6

Vitamina “B2” merr pjesë në shumë procese të trupit, veçanërisht për të formuar energjinë nga ushqimet në rritjen e fëmijëve dhe në mbarëvajtjen e indeve trupore. Shenjat e para që vihen re, në mungesë të saj, janë disa të çara në anët e gojës. Simptoma të tjera janë plagë dhe mavijosje në gjuhë, kruarje dhe skuqje të syve. Këto shenja mund të vihen re brenda disa ditëve dhe është e këshillueshme të mos lihet mbas dore. Vitamina “B2” gjendet kryesisht tek mëlçia, kosi, qumështi, djathi, drithërat, veza, peshku, bajamet, veshkat, kërpudhat, farat e kungullit etj.

Roli i vitaminës “B6” është të prodhojë proteinat, të çlirojë glukozën e rezervuar. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Sa më shumë ushqime me proteina të përdoren, aq më shumë vitaminë “B6” është e nevojshme. Në përgjithësi, mungesë të kësaj vitamine ka tek ata njerëz që përdorin ilaçe kundër reumatizmës, tuberkulozit ose tensionit të lartë të gjakut. Simptomat janë plagë në gojë, depresion, irritim, ekzemë dhe nganjëherë dhe ngacmim i ndonjë nervi i cili shkakton dhimbje. Në formë natyrale vitamina “B6” gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

PËR NJË ZEMËR TË SHËNDOSHË KONSUMONI VITAMINËN “C”

Vitamina “C” është themelore në formimin dhe mbarëvajtjen e indeve lidhëse, shërimit të plagëve, shëndetit të mishit të dhëmbëve dhe të gjithë trupit. Qëndron një lidhje e fortë midis sasisë së bollshme të vitaminës “C” që gjendet në trup dhe shëndetit të zemrës, të rrahjeve të saj dhe uljes së rrezikut ndaj disa kancereve. Kjo vitaminë largon perden në sy. Mungesa e saj në trup mund të vihet re brenda 3–4 javëve. Dallohet që ka vonesë në shërimin e plagëve, lodhje trupore, rrjedhje gjaku nga mishi i dhëmbëve, dhimbje gjunjësh dhe një gjumë jo i rehatshëm. Ata që pinë duhan rekomandohen të marrin sasi më të mëdha të kësaj vitamine. Ekspertët mendojnë se është e dobishme marrja e vitaminës “C” 200 mg në ditë. Ajo gjendet tek perimet jeshile dhe të freskëta, te të gjitha agrumet, luleshtrydhja, speci, domatja dhe patatja.

VITAMINA “E”, PARANDALON ATAKUN NË ZEMËR

Vitamina “E” është një nga vitaminat bazë për organizmin e njeriut. Studimet tregojnë se kur vitamina “E” është në sasi jo të mjaftueshme në trup, rreziku ndaj atakut të zemrës dhe kancereve është më i madh, dhe formohen gjithashtu perde në sy. Me kalimin e kohës, kur kjo gjendje vazhdon, mund të lindin dhe zhvillohen çrregullime nervore që ndikojnë tek sytë, sistemi nervor dhe muskujt ose të shkaktojë anemi. Gjendet tek lajthia, farat e lulediellit, gruri, vaji i lulediellit, perimet etj.

VITAMINAT PËRTHITHEN  NË PRANI TË YNDYRAVE

Vitamina A, ashtu sikurse dhe vitaminat D, E, K, absorbohen nga organizmi vetëm në prani të yndyrave. Më përpara konsiderohej e papërshtatshme të bashkoheshin proteinat me karbohidratet. Por sot mendohet se t‘i shtosh llojeve të ndryshme të pastave (brumërave) pak fasule, bizele apo thjerrëza, plotësohen më mirë nevojat proteinike të trupit.




SHKARKO GAZETEN E MUAJIT
gazeta