VIP-at NE TAVOLINE
Olta Gixhari: Më pëlqejnë femrat e kolme, ja sekretet e trupit tim


Aktorja Olta Gixhari në një rrëfim të saj këtë sezon plazhi na zbulon sekretet e saj për trupin e formë. Thotë se i pëlqejnë femrat e kolme, dhe ndaj çdo regjim ushqimor, ushtrim në palestër dhe trajtim estetik i bën për të pasur linja të mbushura. Pas përfundimit të eksperiencës televizive në programin e “E diela Shqiptare”, Olta na shfaqet në bikini dhe na tregon se si kujdeset për pamjen e saj:

Ke festuar ditëlindjen më 8 korrik. Të tremb koha që ikën? 

Po, shumë. Sepse ikja e kohës ka lidhje me plakjen...

Në verë shijon vetëm plazhin, apo kujdesesh për linjat non stop për të ruajtur freskinë?

Patjetër që kujdesem dhe tani në verë. Ushtrohem në palestër dy herë në javë po shumë fort, si dhe bëj trajtime të ndryshme për lëkurën. Por për mua nuk ka rëndësi pesha. Unë punoj shumë për format dhe tonifikimin e trupit. Nuk më shqetëson shëndeti im pasi mua më pëlqejnë femrat e kolme.

Do të na tregosh disa sekrete të tua? E nisim nga dieta ushqimore...

Ushqimin e porosis në fakt se s’di të gatuaj, kështu që kam mundësi të ushqehem shëndetshëm, pa shumë yndyrë. Kam rralluar brumërat në menynë time, ndërkohë që përdor shumë prodhimet e detit dhe sallatat, që janë të preferuarat e mia. Për sa u përket vakteve, konsumoj vetëm drekën dhe shumë rrallë darkën, me përjashtim të rasteve kur jam në restorant. Nëse jam në shtëpi e kaloj kohën me fruta, kos, pak bukë të thekur, djathë, domate, vajë ulliri. Ndërsa mëngjesin e konsumoj kur dua të fle, pasi më zë buka e më vë në gjumë. Çudi e madhe!

Në ç’raste të ndodh të tregohesh e papërmbajtur me ushqimin?

Po ja, ka pasur raste kur jam zgjuar në orën 00:20 të natës dhe kam gatuar makarona dhe kam ngrënë dy pjata.

Konsumon shumë ujë gjatë ditës?

Në mëngjes e konsumoj shumë ujë, pasi kështu e kam mësuar organizmin. Dhe natën zgjohem vetëm për ujë. Nuk shtrihem kurrë pa marrë ujin te koka e krevatit.Mbase ngaqë kam uri dhe trupi im kërkon ujë natën.

Po me alkoolin ç’marrëdhënie ke?

Alkool po, preferoj verën.

Ke pësuar ndonjëherë luhatje të mëdha në trupin tënd? Çfarë të rrëzon në peshë më shumë? 

Jo. 2 -5 kg plus e minus kanë qenë luhatjet e peshës në trupin tim. Po unë s’kam qenë kurrë obeze  dhe humbja e peshës tek unë nuk vihet re shumë. Mërzia dhe ankthi janë shkaktarët e humbjes së kileve. Me ikën oreksi në raste të tilla...

Celuliti është ankthi i të gjitha femrave, ti si e parandalon?

Aktualisht po bëj trajtime anti celulit. Në përgjithësi këto trajtime i bëj pothuaj gjatë gjithë vitit. Kur kam mundësi dhe kohë kuptohet. Për trupin, përdor shumë vajin e bajames dhe ca vajra me kokos 100% , që i kam marrë në Thai dhe që nuk i ndaj as në dimër.

Përveç trupit, si kujdesesh për flokët dhe fytyrën? 

Në fakt të gjitha të ardhurat e mia shkojnë përveç trajtimeve për trupin, për flokët dhe fytyrën. Fytyrës i bej trajtimet që i nevojiten lëkurës sime, 1 ose 2 herë në muaj te estetikja kuptohet. Gjithashtu bëj kremrat hidratues e rigjenerues me maska të lehta që i aplikoj vetë në shtëpi me rekomandimin e estetistes sime. Flokët i lyej me bojë bimore shumë të kushtueshme, pa amoniak, prandaj kam flokë të gjatë dhe biond.

Pohove më sipër që të pëlqejnë femrat e kolme, po meshkujt?

Si ta kenë, rëndësi ka të ndihen rehat me veten.

Kur je ne nje lidhje ndihesh më në formë. A je e dashuruar për momentin?

Vetëm mirë të bën dashuria jo vetëm shpirtërisht por dhe fizikisht. A jam unë e dashuruar? Shih e shkruaj! 




SHKARKO GAZETEN E MUAJIT
gazeta