VIP-at NE TAVOLINE
Flet shefja e kuzhinës në Itali Entiana Osmënzeza: Adhuroja kuzhinën e gjyshes time me shumllojshmëri erëzash


"Unë punoj për restorantin me tarracën më të bukur në botë në Firenze, Sesto on Arto, te hotel Westin Excelsior"


Për të gjithë ata që nuk e dinë historinë tuaj, ju kur e keni lënë Shqipërinë dhe në çfarë rrethanash?

Ishte koha më e vështirë, jeta qe pa vlerë, nuk kishte të ardhme në Shqipëri, shkollat ishin gjysmë të mbyllura në Berat dhe situata social-ekonomike e qytetit e pashpresë. U largova nga Shqipëria në shkurt të 1992. 


Si ndodhi që iu futët profesionit dhe artit të bukur të kulinarisë, ka qenë ai pasioni juaj i kahershëm apo ka ndodhur që e zgjodhët për ndonjë rrethanë të caktuar?

 Zgjedhja ka qenë një nevojë ekzistenciale, pasi bota e turizmit ishte zgjedhje më e lehtë për të gjetur një vend pune, qoftë ky në bar, restorant. Pasi një nga nevojat bazë të njeriut është që të ushqehet. Nisur nga kjo, puna është gjëja e parë që do kërkosh.


Dimë që keni bërë një shkollë kuzhine italiane dhe italianët janë mjeshtër të gatimit. Cilat janë disa nga rregullat e forta të kuzhinës italiane, të cilat nuk mund të shkelen për asnjë arsye?

Sekreti i kuzhinës italiane është tradita, mënyra se si ata e trashëgojnë kulturën e të gatuarit brez pas brezi duke respektuar traditën dhe mos modifikuar atë që është esenciale, bazën e produkteve ushqimore. Sekreti i kuzhinës italiane është të gatuarit duke ruajtur origjinalitetin e shijes së produktit të papërpunuar. Për italianët, të ushqyerit është shije dhe kuptimi i një familjeje të madhe. Italianët dinë të flasin pa fund për ushqimet e tyre. Është baza e një jete të mirë. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është disiplina. Ndjekja rigoroze e recetës që të jep shefi, moskundërshtimi dhe përpikëria.


Kur ju kanë pyetur për kuzhinën shqiptare, ju çfarë keni demonstruar, pra me çfarë jeni krenuar le të themi?

Unë jam larguar në moshë shumë të vogël nga Shqipëria, por ajo fare unë kujtoj nga kuzhina e gjyshes sime janë shumëllojshmëria e erëzave dhe përdorimi gjerësisht në recetat e saj. Kuzhina shqiptare pak a shumë shkon njësoj me atë italianen, hyjnë të dyja te mesdhetarja.


Kur gatuani, krahas shijes dhe bukurisë së pjatës, a interesoheni edhe për një kombinim të mirë të vlerave ushqyese, megjithëse dihet se kjo është punë e nutricionistëve?

Absolutisht po, e studioj një gjë të tillë.


Dimë që punoni në një restorant të famshëm në Firence, çfarë ndodh kur ju prezantoheni si shqiptare, ka paragjykim?

Patjetër që po, e para fjalë që më thonë është erdhi shqiptarja për t’u marrë punën italianëve. Dhe unë u përgjigjem; Urdhëroni! Nëse keni të njëjtat aftësi, punoni ashtu siç bëj unë, me të njëjtin intensitet, me të njëjtin devocion, pasion dhe seriozitet. Ata qeshin.


Së fundi keni ndonjë plan për të investuar në Shqipëri në një restorant apo diçka tjetër që ka të bëjë me fushën tuaj? 

Tani për tani jo, por kam në plan të bëj diçka për kuzhinën shqiptare.  




SHKARKO GAZETEN E MUAJIT
gazeta