Instituti i Kulinarise Neranxi
Panairi i 7-të i Kulinarisë Neranxi, një nga prioritetet ishte projekti "Kamarierë të shkolluar"


Kurse intensive gjashtë mujore pranë Institutit Kulinar Neranxi, për të qenë më të kërkuar në tregun e punës

Çdo vit në Panairin profesional të Kulinarisë Neranxi, renditen edhe prioritetet të cilat iu a bëjnë me dije klientëve. Këtë vit Kompania Neranxi dhe Instituti Kulinar Neranxi, kanë vendosur që të sensibilizojnë akoma më shumë klientët e tyre, pastiçierët, kuzhinierët, xhelatierët, bukpjekësit, barmanët  etj, që të thellojnë akoma më shumë dijet e tyre dhe të stafit, në profesionet dhe specialitetet që kanë. "Shkolla kulinare në botën e përparuar po ecën shumë shpejt dhe ne duhet të kapim ritmin e tyre. Panairi i përvitshëm është një moment për tu takuar me dijen, me risitë, nëpërmjet seminareve që organizojmë, por kjo nuk mjafton. Ne po përmirësojmë për ditë tekstet e shkollës tek Instituti Kulinar Neranxi, stafi akademik po shtohet dhe po filtrohet në mënyrë që të jetë sa më cilësor. Nuk ka progres në këto zanate, pa mësuar shumë". - tha Presidenti i Kompanisë Neranxi, Nikollaq Neranxi.  

"Një tjetër problem është që në shkollën tonë të Kulinarisë do ishte mirë të vinin nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme, sepse e shohim që vetëm me nëntë vjeçare kanë vështirësi. Duhet më shumë  kulturë dhe informacion mbi matematikën, fizikën, biologjinë e çdo lëndë tjetër, në mënyrë që të bëhesh një specialist kontemporan, që të dish të përdorësh pajisjet e kuzhinës, të njohësh përbërjet e produkteve etj. Shumë shpejt në shkollën tonë këtë do e vëmë si kusht edhe pse më vjen keq për adoleshentet e shumtë që kërkojnë të vijnë në këtë shkollë". - vijoi Neranxi 

Një tjetër risi që u prezantua këtë vit në Panair, është projekti "Kamarier të shkolluar". Duhet patjetër që kamarierët që shërbejnë sot kudo, në bare, restorante, hotele etj, të marrin informacionin bazik kulinar. "Kamarierët në Shqipëri nuk e kanë idenë se ç'bëhet pas banakut si dhe në kuzhinë. Nëse e pyet për një recetë në menu, nuk di të përgjigjet, nuk di të të sugjerojë, është larg të qënit profesionist. Kamarieri është kontakti i vetëm me klientin, prandaj ne kemi hapur në shkollë kurse intensive dedikuar kamarierëve. Pas kësaj fushate për të mësuar më shumë, jam i sigurtë që sipërmarrësit por edhe konsumatorët, do të shohin menjëherë rezultatet. " - tha Neranxi. Më pas të ftuarit u informuan më në detaje.  Projekti "Kamarierë të shkolluar" është një kurs intensiv 6-mujor pranë Institutit Kulinar Neranxi. Aty të rinjtë do mësojnë gjërat bazike mbi produktet e bareve, restoranteve dhe pastiçerive. Në këtë mënyrë tregu i punës do i japë prioritet kamarierëve të shkolluar dhe pagesa do jetë akoma më e lartë për ta. 




SHKARKO GAZETEN E MUAJIT
gazeta